Prof. Dr. Gentian Zyberi
Një vështrim kritik mbi shtetin e së drejtës, të drejtat e njeriut, dhe reformën në drejtësi në Shqipëri
31.03.2022
Përmbajtja:
Shqipëria po i afrohet fundit të dekadës së tretë të tranzicionit prej një sistemi totalitar komunist
drejt një shteti të së drejtës dhe një demokracie funksionale që mbron dhe respekton të drejtat e njeriut.
Ky moment ofron një mundësi për të reflektuar në mënyrë kritike mbi arritjet dhe mungesat e këtij procesi
transformimi shoqëror, duke u fokusuar në zhvillimet më të fundit, gjendjen e sistemit të drejtësisë,
ekonomisë, dhe situatës politike, si dhe mundësitë e diasporës për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm
të shoqërisë shqiptare. Prezantimi im fokusohet kryesisht në reformën në drejtësi,
duke e përdorur këtë proces të rëndësishëm politiko-ligjor për të ilustruar gjendjen e të drejtave të njeriut,
të shtetit të së drejtës, dhe demokracisë në Shqipëri, si dhe mundësinë e diasporës për të kontribuar në forcimin
e shtetit ligjor dhe përmirësimit të nivelit të demokracisë në Shqipëri.
Online:
Lidhja në ZOOM do të publikohet me kohë në këtë faqe, në Facebook dhe faqen në Internet të Institutit.
Video:
Kliko këtu për ta shikuar videon e ligjërates .
Gentian Zyberi është Profesor i të Drejtës Ndërkombëtare dhe të Drejtave të Njeriut dhe ka drejtuar Qendrën Norvegjeze për të Drejtat e Njeriut, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Oslos, Norvegji në periudhën 2018-2021. Prej vitit 2014 Profesor Zyberi ka shërbyer si drejtor i përgjithshëm i Institutit Alb-Shkenca. Ai është anëtari i parë shqiptar i Komitetit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, që merret me mbikëqyrjen e të drejtave garantuar nën Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike. Profesor Zyberi ka mbaruar studimet për drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës (jurist, 2000), dhe ka marrë një diplomë Masteri (LL.M, 2002) dhe gradën doktor (PhD, 2008) në të Drejtën Ndërkombëtare nga Universiteti i Utrehtit, Holandë. Ai është promovuar në rangun profesor (të rregullt) në Universitetin e Oslos në vitin 2015 nga një komision vlerësimi në bazë të rezultateve të tij shkencore.