Prof. Dr. Emil Lafe
Kongresi i Drejtshkrimit (1972) dhe shqipja e sotme standarde
22.12.2022, ora 18:00 (CET, ora e Tiranës)

Përmbajtja:
Rregullat e drejtshkrimit janë kodi më i rëndësishëm i një gjuhe letrare. Përpjekjet për të caktuar rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe nisin gjatë Rilindjes nga autorë të veçantë. Më 1916–1918 Komisija Letrare Shqipe (Shkodër) caktoi rregullat drejtshkrimore për gjuhën e shkruar sipas dialektit të Elbasanit, që u përdor si gjuhë zyrtare në territorin shqiptar të administruar nga Austro-Hungaria gjatë Luftës I Botërore. Kjo praktikë gjuhësore u zbatua edhe nga administrata e shtetit shqiptar deri më 1944. Me themelimin e Institutit të Shkencave në Tiranë menjëherë pas luftës u caktua një komision për të përcaktuar rregullat e drejtshkrimit dhe u botuan disa udhëzues drejtshkrimorë (1948, 1951, 1956, 1967). Ndërkaq varianti letrar mbi bazën e toskërishtes dhe të traditës së Rilindjes kishte marrë në Shqipëri funksionet e një gjuhe letrare kombëtare. Projekti i vitit 1967, i mbështetur te ky variant letrar, kaloi nëpër një diskutim të gjerë sidomos. me arsimtarët. Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, në prill 1968 u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës ku u vendos që shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme të zbatojnë rregullat e atij projekti dhe variantin letrar të shtetit amë me bazë toskërishten. Bashkëpunimi ndërmjet gjuhëtarëve të Shqipërisë dhe gjuhëtarëve shqiptarë në Kosovë e Maqedoni u dendësua në ato vite dhe u vendos bashkërisht të organizohet në Tiranë një forum për të përcaktuar parimet dhe kriteret e përpunimit të projektit të drejtshkrimit. Kongresi njëkohësisht pohoi se shqiptarët kanë tashmë një gjuhë letrare kombëtare të njësuar e të përbashkët, që quhet sot shqipja standarde.

Online:
Për lidhjen në ZOOM, kliko këtu.
Nësë kërkohen:
Meeting-ID: 810 1621 9885, Passwort: 697954

Video:
Videoja do të publikohet më vonë


Prof. Dr. Emil Lafe (1938) studioi për gjuhësi dhe letërsi në Universitetin e Tiranës (1955–1959). Prej vitit 1959 bashkëpunëtor shkencor dhe përgjegjës sektori në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë); 1998–2009 drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare në Akademinë e Shkencave. Mësimdhënës i jashtëm në Fakultetin e Filologjisë. 1982 “Doktor”, 1994 “Profesor”. A nëtar i redaksive dhe kryeredaktor i disa revistave filologjike (Tiranë, Prishtinë). Delegat në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe sekretar i Këshillit organizues të Kongresit (1972). Bashkautor në një varg veprash themelore për gjuhën e sotme shqipe, si: “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, “Gramatika e gjuhës shqipe”, “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” etj. Autor i shumë punimeve, referateve dhe kumtesave shkencore. Kryetar i Shoqatës së Gjuhësisë Shqiptare.